― Advertisement ―

spot_img

Horoskopi ditor – 03.04.2026

Dashi Një valë energjie po ju mbërthen sot, Dashi! Është dita perfekte për të ndërmarrë iniciativa të reja, qoftë në punë apo në jetën personale....
BallinaLajmeLigji i ri kundër duhanit do të zbatohet me faza, fillimisht paralajmërime...

Ligji i ri kundër duhanit do të zbatohet me faza, fillimisht paralajmërime e më pas gjoba

Ligji i ri për mbrojtje nga duhani nuk do të nisë zbatimin e plotë menjëherë, por do të aplikohet në mënyrë graduale. Kështu ka deklaruar këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Nikolla Grbaçevski, duke theksuar se institucionet kanë zgjedhur një qasje më të butë në fazën fillestare.

Sipas tij, qëndrimi i Ministrisë është që ligji të miratohet sa më shpejt, por zbatimi do të kalojë nëpër disa etapa. Në fillim do të shqiptohen paralajmërime dhe do të zhvillohet proces edukimi e bashkëpunimi me bizneset dhe qytetarët, ndërsa gjobat do të pasojnë më vonë. Ai sqaroi se kjo nuk nënkupton tërheqje nga qëllimet, por përpjekje për të balancuar objektivin e shëndetit publik me realitetin ekonomik të sektorit të gastronomisë.

Ende nuk është përcaktuar se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit. Sipas Grbaçevskit, kohëzgjatja – nëse do të jetë tre, gjashtë apo tetë muaj – do të vendoset nga grupi operativ i punës, pas konsultimeve me palët e interesuara.

Projektligji parasheh ndalim të plotë të pirjes së cigareve klasike, cigareve elektronike dhe pajisjeve me duhan të ngrohur në të gjitha hapësirat e mbyllura publike dhe private që ofrojnë shërbime, përfshirë objektet hotelierike, kompanitë, institucionet publike, shkollat, çerdhet, stacionet e autobusëve dhe trenave, tregjet, si dhe objektet kulturore e sportive. Ndalimi do të vlejë edhe në automjete private nëse brenda ndodhet fëmijë.

Po ashtu, sipas standardeve evropiane, kufizime do të ketë edhe në hapësira të caktuara të hapura, si para hyrjeve të shkollave dhe çerdheve apo në këndet e lojërave për fëmijë, me qëllim mbrojtjen e tyre nga ekspozimi ndaj tymit.

Në debatin publik janë ngritur shqetësime lidhur me nevojën për dispozita më të qarta kalimtare dhe përfundimtare, veçanërisht për afatet e hyrjes në fuqi të kufizimeve dhe trajtimin e stoqeve ekzistuese të produkteve të duhanit dhe nikotinës. Sipas propozimit aktual, gjobat për qytetarët do të variojnë nga 150 deri në 300 euro, ndërsa për subjektet juridike mund të arrijnë deri në 5.000 euro.