Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në muajin dhjetor Maqedonia prit rreth 59 521 turistë, të cilët realizuan gjithsej 112 001 netë qëndrimi në vend. Nga totali i turistëve, rreth 63,3% ishin të huaj, ndërsa 36,7% ishin vendas. Turistët e huaj kontribuan me 57,6% të netëve të qëndrimit, ndërsa vendasit me 42,4% të tyre.
Nga këto të dhëna rezulton se numri i përgjithshëm i turistëve për vitin 2025 u rrit për 6,0% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, turistët vendas shënuan një rënie prej 2,2%, ndërsa numri i turistëve të huaj u rrit me 10,3%. Për netë qëndrimi gjithashtu u shënua një rritje prej 0,8% në total, ku netët e turistëve vendas u ulën për 4,1%, ndërsa netët e turistëve të huaj u rritën për 6,4%. Sipas statistikave të publikuara, vendet kryesore nga të cilat kanë ardhur më shumë turistë janë Turqia me 7 303 vizitorë, Bullgaria me 5 214 dhe Serbia me 4 736 turistë, ndjekur nga Greqia me 3 438 vizitorë.
Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se pret që Maqedonia të arrijë numrin prej pesë milionë netë qëndrimesh turistike deri në vitin 2028 ose 2029, nëse zhvillimet e sektorit vazhdojnë sipas planit të qeverisë. Ai theksoi rritjen e vizitorëve të huaj si një shenjë pozitive për zhvillimin e turizmit në vend.
