Trajneri i Manchester City-t, Pep Guardiola, ka deklaruar pas ndeshjes së fundit të sezonit se sigurimi i një vendi në Ligën e Kampionëve është një arritje që ndjehet “si të fitosh një titull”.
“Disa mund të thonë ‘nuk dua të luftoj më, mjafton edhe Liga e Evropës’, por ne vazhduam të luanim mirë dhe ia dolëm. Në fund e përfunduam sezonin të tretët, jo shumë larg Arsenalit, por distanca me Liverpoolin është e madhe. Duhet të përmirësohemi dhe shpresoj ta arrijmë këtë,” u shpreh Guardiola për gazetarët.
Ai shtoi: “Sot është një lehtësim, sepse kualifikimi për Ligën e Kampionëve është si të fitosh një titull – është fakt. Të përfundosh i treti është shumë mirë. Nuk është perfekte, por sezonin tjetër do të jemi në Evropë, në Ligën e Kampionëve. Ndoshta disa nuk e besojnë, por për ne është një ditë vërtet e lumtur.”
Çfarë ndodhi?
Manchester City mposhti Fulhamin me rezultat 2-0 në ndeshjen e fundit të sezonit në Premier League, duke siguruar përfundimisht vendin e tretë dhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Fakti që kualifikimi mbeti në dyshim deri në javën e fundit tregon qartë se ky sezon ka qenë më i dobët se zakonisht për klubin, i cili përfundoi me 13 pikë më pak se kampionët e rinj, Liverpooli.
