― Advertisement ―

spot_img
BallinaNë fokusRekord i ri për njerëzimin: “Artemis 2” kthehet pas udhëtimit më të...

Rekord i ri për njerëzimin: “Artemis 2” kthehet pas udhëtimit më të largët në hapësirë

Misioni “Artemis 2” po hyn në fazën përfundimtare, teksa katër astronautët e NASA-s pritet të rikthehen në Tokë nesër, pas një udhëtimi historik rreth anës së errët të Hënës me kapsulën “Orion”. Ky mision shënon një moment të rëndësishëm, pasi njerëzimi ka arritur distancën më të madhe nga Toka në historinë e eksplorimit hapësinor.

Ekuipazhi përbëhet nga piloti Viktor Glover, astronautët e NASA-s Reid Wiseman dhe Christina Koch, si dhe astronauti kanadez Jeremy Hansen. Ata janë të parët që marrin pjesë në programin ambicioz “Artemis”, një projekt shumë-miliardësh që synon rikthimin e njerëzve në Hënë deri në vitin 2028 dhe forcimin e pranisë amerikane në hapësirë, në një garë të drejtpërdrejtë me Kinën.

Në një konferencë për shtyp nga hapësira, Christina Koch e përshkroi programin si një “garë stafete”, ku çdo mision ndërton bazat për hapat e ardhshëm drejt eksplorimit më të thellë, përfshirë edhe misionet e ardhshme drejt Marsit.

Misioni i radhës, “Artemis 3”, pritet të testojë lidhjen në orbitën e ulët të Tokës mes kapsulës “Orion” dhe mjeteve ulëse hënore, që do të përdoren për zbarkimet e ardhshme. Ndërsa “Artemis 4”, i planifikuar për vitin 2028, synon të realizojë uljen e parë të astronautëve në Hënë që nga misioni historik “Apollo 17” në vitin 1972.

Sipas planit, kapsula “Orion” do të zbresë në oqean pranë brigjeve të Kalifornisë Jugore të premten në mbrëmje. Faza e rikthimit konsiderohet ndër më të rrezikshmet, pasi gjatë hyrjes në atmosferë, kapsula arrin shpejtësi deri në 38.360 kilometra në orë.