Në datën 6 dhjetor 2024, dy oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit u paraqiten në derën e shtëpisë së kryetarit të Bashkisë Tiranë me një autorizim nga gjykata për të ushtruar kontroll.
Oficerët qëndruan për dy orën në godinën e pallatit të kryebashkiakut në zonën e njohur si “Kodra e Diellit” dhe sekuestruan telefonin e gruas së tij Ajola Xoxa. Më pas ata kontrolluan për disa orë dhe zyrat e qendrës Harabel në zonën e ish-Bllokut.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, SPAK ka marrë miratimin e për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave Ajola Xoxën bashkëshorte e Erion Veliaj, Arbër Veliaj vëllai i z.Veliaj, Elman Abule mik i afërt i Erion Veliaj, Marisa Nito bashkëjetuese e Elman Abule dhe mike e Ajola Xoxës, Adela Kondakçiu mike e Ajola Xoxës dhe Driant Zeneli bashkëpunëtor i Xoxës në qendrën “Harabel”.
Prokurorët kanë marrë miratimin për të kontrolluar dhe zyrat e disa bizneseve dhe qendrave që lidhen me aktivitetin e familjarëve të zotit Veliaj: “Partenërs Laë” shpk, zyra ligjore që administrohet nga Ajola Хохa, Naan Gallery SHPK qendër kulturore ku është e punësuar Ajola Xoxa, “Qendra Harabel” e cila administrohet nga artisti Driant Zeneli dhe ku Ajola Xoxa mban postin e drejtores kreative, Ava Studio SHPK, e cila administrohet nga mamaja e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa, kompania Gogel shpk që zotërohet nga Arbër Veliaj, vëllai i kryetari të Bashkisë Tiranë. Gjithashtu kontrollet kanë autorizuar edhe kontrollin e kompanisë së Adela Kondakçiut, firmë në fushën e marketigut dhe dizajnit dhe zyrat e Rametal shpk, në pronësi të Elman Abules.
Por si i lidh SPAK të gjithë këta emra me njëri-tjetrin dhe çfarë dyshohet të kenë kryer ata duke u ndihmuar nga pozitat e kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj? Në vendimin e Gjykatës së Posaçme konstatohet se prokurorët kanë gjetur “të dhëna konkrete se anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, shtetasin Erion Veliaj, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë.” Procedimi është regjistruar në fillimin e këtij viti me dyshimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.
“E gjithë ajo aureola shumëvjeçare që kishte krijuar kryetari Bashkisë Tiranë për një shkëlqim të tij në detyrë, për një sukses të pakontestueshëm për një publik që e adhuron dhe e do, tanimë është rrënuar me një hetim që ka nisur Prokuroria e Posaçme dhe pse ai është përpjekur ta demotivojë duke thënë që janë ‘kolegë’, por bëjnë një punë shumë të mirë,”- thotë gazetari Denis Dyrnjaja.
Të dhënat e përpunuara nga Kronos në deklaratat e pasurisë të depozituara nga kryebashkiaku Erion Veliaj tregojnë se kryebashkiaku është pronar i një apartamenti me sipërfaqe 111 m2 i blerë më 13 shtator 2013, dy ditë përpara se të betohej si Ministër i Rinisë dhe Mirëqënies Sociale ku shërbeu për dy vjet në kabinetin e parë të qeverisë Rama. Shtëpia është deklaruar se është blerë për vlerën 51 mijë euro me të ardhura që vinin nga shitja e apartamentit të mamasë së tij dhe paga, pronë që më pas është rivlerësuar në tetor të atij viti për vlerën 128 mijë euro.
