Komuna e Çairit ka nisur zbatimin e një projekti modern për përmirësimin e pastërtisë dhe rregullit urban, duke vendosur kontejnerë nëntokësorë në disa lokacione të territorit të saj. Promovimi i sistemit të ri u bë në Fushë Topanë, në prani të përfaqësuesve të ndërmarrjes publike për higjienë komunale.
Ky investim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve të jetesës në komunë. Sistemi i kontejnerëve nëntokësorë synon të reduktojë mbeturinat e ekspozuara në hapësirat publike, të ulë rrëmujën dhe të rrisë nivelin e higjienës për banorët. Mbeturinat depozitohen nën tokë, duke shmangur pamjen e pakëndshme dhe përhapjen e aromave, ndërsa sipërfaqja mbi tokë mbetet e lirë dhe më funksionale për qytetarët.
Deri më tani, kontejnerë nëntokësorë janë vendosur në pesë lokacione, me nga tre njësi në secilin vend. Me vendosjen e setit të ri në lokacionin e gjashtë, numri i përgjithshëm ka arritur në 15 kontejnerë në funksion në territorin e Çairit.
Sipas planifikimeve, deri në fund të vitit sistemi do të zgjerohet në 15 lokacione të ndryshme, me mbi 50 kontejnerë nëntokësorë që do të jenë në shërbim të qytetarëve. Autoritetet lokale theksojnë se ky projekt përfaqëson një hap konkret drejt afrimit me standardet evropiane, duke investuar në mjedis më të pastër, më të sigurt dhe me cilësi më të lartë jetese për të gjithë banorët e Çairit.
Standard i ri pastërtie në Çair, vendosen 15 kontejnerë nëntokësorë
