Brenda Lëvizjes BESA po shtohen zërat kritikë ndaj mënyrës së komunikimit të ministrit Fatmir Limani me strukturat partiake, çështje që mund të ndikojë në pozicionin e tij në ekzekutiv. Kryetari i partisë, Bilall Kasami, bëri të ditur se organet e BESA-s do të vendosin nëse do të kërkohet tërheqja e tij nga posti, duke theksuar se partia mban përgjegjësinë për emrat që propozon në Qeveri.
Ai sqaroi se Limani është pjesë e kabinetit si propozim i koalicionit VLEN nga radhët e BESA-s dhe çdo lëvizje eventuale do të diskutohet fillimisht brenda koalicionit dhe me partnerët përkatës.
Nga ana tjetër, ministri Limani refuzoi të komentojë deklaratat që i cilësoi si hipotetike. Nga kabineti i tij u theksua se ai do të dalë me qëndrim publik vetëm nëse ka një vendim zyrtar dhe institucional nga organet kompetente ose nga subjekti politik që e ka propozuar.
Kryeministri Hristijan Mickoski ndërkohë shprehu vlerësim për punën e Limanit, duke theksuar se ai paraqet vlerë të shtuar në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Mickoski rikujtoi se si mandatar i Qeverisë është ai që vendos për përbërjen e saj.
Në të njëjtën kohë, Kasami përmendi edhe rastin e drejtorit të Metrologjisë, Sedat Rushani, për të cilin tha se është shkarkuar për shkak të pakënaqësive në performancë. Rushani reagoi duke mohuar vlerësimet ndaj tij dhe duke pretenduar se arsyeja reale e largimit lidhet me refuzimin e tij për të pranuar pazare dhe praktika të paligjshme, akuza që hedhin hije mbi raportet brenda strukturave partiake.
