Kryeministri Benjamin Netanyahu tha të martën se forcat izraelite do të qëndrojnë në një zonë neutrale në anën siriane të kufirit, më konkretisht në majën e malit Hermon, “derisa të krijohet një situatë që nuk përbën rrezik për sigurinë e Izraelit”.
Kryeministri Netanyahu tha se qëndroi në majën e malit Hermon para 53 vjetësh si ushtar, por rëndësia e kësaj zone për sigurinë e Izraelit është rritur duke marrë parasysh zhvillimet e fundit.
Kryeministri Netanyau vizitoi zonën neutrale me Ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, i cili tha se udhëzoi ushtrinë izraelite që të vendosej aty duke krijuar fortifikime, që tregon për një qëndrim afatgjatë në zonë.
“Maja e Hermonit është sytë e shtetit të Izraelit për të identifikuar armiqtë tanë që janë afër dhe larg”, tha ministri Katz.
Forcat izraelite kanë marrë nën kontroll një zonë të çmilitarizuar afërsisht 400 kilometra katrorë, brenda Sirisë. Zona neutrale midis Sirisë dhe Lartësive Golan u krijua nga OKB-ja pas luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1973. Një forcë paqeruajtëse e OKB-së prej rreth 1,100 trupash ishte e pranishme në atë zonë që atëherë.
Izraeli mori nën kontroll Lartësitë Golan nga Siria gjatë luftës në Lindjen e Mesme të vitit 1967 dhe më vonë i aneksoi, veprim që nuk njihet nga shumica e komunitetit ndërkombëtar. Maja e malit Hermon ndahet midis Lartësive Golan të aneksuar nga Izraeli, Libanit dhe Sirisë. Vetëm Shtetet e Bashkuara e njohin kontrollin e Izraelit mbi Lartësitë Golan.
