― Advertisement ―

spot_img

​Sot Dita e Veteranit

Sipas Ligjit për veteranët e luftës së UÇK-së, Dita e Veteranit shënohet më 30 dhjetor, për të përkujtuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e veteranëve...
BallinaKulturëStarton edicioni i 63 i Festivali në RTSH

Starton edicioni i 63 i Festivali në RTSH

Nesër (të enjten, 19 dhjetor), në ekranin RTSH-së, nën tingujt e muzikës, dritave skenike, kamerave, bliceve të aparateve fotografike dhe të celularëve, starton ngjarja më e madhe dhe më e rëndësishme muzikore e vitit, jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjitha trojet shqiptare, madje edhe në diasporë – Fest 63.

Kjo ngjarje muzikore mbarëkombëtare përmbledh brenda vetes jo vetëm kompozimet dhe tekstet më të mira të shkruara nga kompozitorët dhe poetët, por shënon edhe një pikë kulminante në karrierën muzikore për të gjithë vokalistët, të cilët do të interpretojnë në skenën e Fest 63 për 4 net me radhë. Një mundësi për t’u bërë të famshëm edhe në skenat ndërkombëtare, duke filluar që nga përfaqësimi i këngës fituese në Eurovizion.

Por ngjarja më e madhe muzikore në Shqipëri dhe më gjerë shënon një kulminacion edhe për mjaft elemente të tjera, të cilat plotësojnë mozaikun e Fest 63, duke filluar nga moderimi, dirigjimi, aranzhimi i kompozimeve, regjia skenike dhe ajo televizive, skenografia, ndriçimi e deri tek kostumografia.

Ajo që bie në sy në Fest 63 është fakti se ka një ndërthurje të larmishme zërash, që në karrierën e tyre kanë prekur lloje të ndryshme zhanresh muzikore, por të fokusuar më së shumti tek muzika pop dhe rok. Disa prej interpretuesve në skenë do të shkelin për herë të parë në tapetin e netëve magjike të Fest 63, ndërsa disa të tjerë kanë marrë pjesë edhe në festivalet e mëparshme, duke ngritur edhe trofe të këtij festivali.

Përveç tingujve muzikorë, ajo që do të bjerë në sy në këtë festival është edhe kujdesi për tekstet, të cilat do të përcjellin mesazhe mbi dashurinë, tematika mbi vendin, frymën kombëtare, si dhe do të përcjellin mesazhe sensibilizuese me natyrë sociale.

Polo: Fest 63, RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar

Zv.Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së dhe Drejtoresha e Festivalit, Aurora Polo, në prag të ngritjes së siparit të Fest 63, ka falënderuar ekipin artistik dhe profesional të radiotelevizionit për angazhimin dhe përgatitjen e një festivali të denjë, që “ka bërë histori në çdo fundvit”.

Sipas saj, ky festival përfaqëson një përpjekje serioze për të kënaqur publikun, duke i dhënë mundësinë besnikëve, nostalgjikëve dhe të rinjve, që të ndjekin një ngjarje të denjë për traditën muzikore shqiptare.

Ajo ka falënderuar edhe stafin e RTSH-së dhe Orkestrën Simfonike të RTSH, që janë, sipas saj, “diamanti i këtij festivali, si dhe një shtyllë e rëndësishme për realizimin e tij”.

Sipas saj, ky festival është një prodhim i nivelit të lartë, që tregon se “RTSH ofron art dhe kulturë të vërtetë për publikun shqiptar”.

“Çdo fundvit RTSH ka përgatitjen më të madhe të muzikës në vend. Kjo traditë është ruajtur me shumë profesionalizëm nga ky institucion, por edhe nga këngëtarët. Këtë vit Festivali i Këngës përfaqësohet nga 30 krijime artistike. Si drejtoreshë e këtij festivali falënderoj ekipin e artistëve me nivel të lartë profesional, për të sjellë një festival të denjë dhe për të kënaqur shikueshmërinë, besnikët, nostalgjikët, si dhe për të tërhequr sa më shumë të rinj pranë Festivalit të Këngës. Një falënderim i veçantë shkon edhe për stafin e RTSH-së dhe diamantin e këtij festivali, Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Jemi këtu për t’i treguar publikut se ne bëjmë prodhime serioze, shumë me dinjitet, siç është edhe Festivali i Këngës 63”, u shpreh Polo.

 

Do të jenë 30 artistë pjesëmarrës në Fest ’63, të cilët për ditë me radhë kanë bërë prova së bashku me Orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar dhe bandën muzikore. Prej dy javësh i gjithë formacioni muzikor është zhvendosur në Pallatin e Kongreseve.

Këtë vit duket se këngët janë mjaft cilësore dhe do të jenë vetë freskia e festivalit.

Blerta Ristani, drejtoresha artistike e Orkestrës Simfonike, bëri të ditur se i ka dëgjuar të gjitha këngët dhe thekson se ka këngë jashtëzakonisht të bukura, si të këngëtarëve të rinj dhe atyre të afirmuar.

“Orkestra është në dispozicion absolut të festivalit. E shoh si elementin më kryesor dhe ndikon shumë në mbarëvajtjen e festivalit, pasi është formacioni më i qëndrueshëm. Të bësh një festival me një orkestër simfonike live, këtë e bënë vetëm RTSH”, u shpreh Ristani.

Një element kryesor i Festivalit të fundvitit është Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar, e cila, pas përfundimit të stinës koncertore, i është përkushtuar tërësisht Festivalit të Këngës.

Dirigjentë të Orkestrës në katër netët e Fest 63 do të jenë disa prej emrave më të njohur të muzikës në fushën e dirizhimit, por edhe të krijimtarisë dhe interpretimit instrumental, si: Shpëtim Saraçi, Alfred Kaçinari, Markeljan Kapedani, Oleg Arapi, Olsi Qinami, Armando Broshka dhe Lirjona Sylejmani.

Pjesë e orkestrës do të jetë edhe banda muzikore, i cili do të drejtohet nga kantautori Elton Deda. Sipas tij, prurjet muzikore të 30 artistëve pjesëmarrës janë mjaft të mira, duke shtuar se “këtë vit është punuar që këngët të jenë më afër bandës”.

Nga 30 artistë konkurrues në Fest ‘63, 16 prej tyre do të ngjiten për herë të parë në skenën e Festivalit të këngës në RTSH.

Këngëtarët në garë sipas rendit alfabetik

  1. Algert Sala
  2. Alis
  3. Ardit Çuni
  4. Devis Xherahu
  5. Djemtë e Detit
  6. Elvana Gjata
  7. Endrik Beba
  8. Epos
  9. Erma Mici
  10. Frensi Revania
  11. Gjergj Kaçinari
  12. Gresa Gjocera
  13. Jet
  14. Kejsi Jazxhi
  15. Klea Dina
  16. Kleansa Susaj
  17. Laorjan Ejlli & Adelina Correj
  18. Lorenc Hasrama
  19. Luna Çausholli
  20. Mal
  21. Martina Serreqi
  22. Mihallaq Andrea
  23. Nita Latifi
  24. Orgesa Zaimi
  25. Rea Nuhu
  26. Ronaldo Mesuli
  27. Santino de Bartolo
  28. Shkodra Elektronike
  29. Stine
  30. Vesa Smolica