Ka kaluar pothuajse një vit që kur Bentley ndërpreu prodhimin e motorit legjendar W12, duke mbyllur një kapitull prej më shumë se 20 vitesh në historinë e makinave me dymbëdhjetë cilindra. Por sipas markës britanike ultra-luksoze që bën pjesë në grupin Volkswagen, zëvendësimi i ri është edhe më i mirë. Natyrisht, nuk do të thoshin të kundërtën.
Versioni më i ri Bentayga Speed tashmë vjen me një motor 4.0-litërsh V8 me dy turbo, që zëvendëson ish-versionin 6.0-litërsh W12. Edhe pse më i vogël në përmasa, ky motor prodhon 641 kuaj fuqi, pra 15 më shumë se W12. Megjithatë, çift-rrotullimi ka rënë lehtësisht në 850 Nm, rreth 50 Nm më pak se paraardhësi. Me gjithë këtë, SUV-i luksoz nuk hyn ende në “klubin 700 kuaj fuqi”, ku bëjnë pjesë modele si Aston Martin DBX S, Ferrari Purosangue, Lamborghini Urus SE dhe Porsche Cayenne Turbo E-Hybrid.
Heqja e motorit të rëndë ka sjellë edhe përfitime në peshë: Bentayga Speed tani peshon 2,465 kg, rreth 43 kg më pak se më parë. Përshpejtimi nga 0 në 100 km/h tani bëhet për vetëm 3.4 sekonda, një përmirësim prej gjysmë sekonde. Shpejtësia maksimale është rritur në 310 km/h, tre më shumë se versioni i vjetër.
Ndryshimet nuk janë vetëm në motorizim. Drejtimi në rrotat e pasme i jep më shumë manovrim, ndërsa frenat karbon-keramike ofrohen opsionalisht vetëm nëse zgjidhen disqet e mëdhenj 23-inç. Bentley ka përmirësuar edhe modalitetin Sport, duke e forcuar amortizimin me 15% krahasuar me versionin V8 S dhe duke përmirësuar reagimin e timonit.
Zëri i W12 mungon, por Bentley siguron se shkarkimi sportiv i standardizuar e kompenson. Për më shumë agresivitet akustik, klientët mund të zgjedhin edhe shkarkimin Akrapovič prej titani me katër dalje.
Nga ana estetike, ndryshimet janë diskrete. Bentayga Speed ofrohet me drita të errësuara përpara dhe mbrapa, si dhe një çati të zezë kontrasti, në version mat apo me shkëlqim. Në brendësi, shkëlqimi klasik krom mund të zëvendësohet me një përfundim të errët, për një ndjesi më sportive. Tapiceria vjen me ngjyra dhe dizajn të përmirësuar në detaje.
Edhe pse W12 është histori, Bentley thotë se nuk po humbisni asnjë grimë nga shpirti i vërtetë i një Bentley. Shkaku i vetëm për largimin e 12 cilindra ishte rregullorja e re për emetimet. Tashmë, Bentayga mbetet modeli i fundit me motor plotësisht me djegie të brendshme, pasi pjesa tjetër e gamës është elektrifikuar.
Modeli i ardhshëm i Bentley pritet të jetë një SUV elektrik më i vogël se Bentayga, duke shënuar nisjen e epokës së re për markën prestigjioze britanike.
