Pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan përmbytje në disa zona të Komunës së Sarajit, ekipet emergjente kanë nisur ndërhyrjet për largimin e ujit dhe sanimin e dëmeve në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë. Me mekanizëm të rëndë po pastrohen objektet e përmbytura dhe kanalet kulluese, me qëllim parandalimin e derdhjeve të reja.
Sipas autoriteteve, menjëherë pas raportimeve për shtëpi të përmbytura, Qendra për Menaxhimin e Krizave ka aktivizuar të gjitha shërbimet kompetente dhe ka siguruar koordinim të plotë në terren. Ekipet e Brigadës së Mbrojtjes Kundër Zjarrit nga Shkupi dhe Tetova po kryejnë pompimin e ujit nga objektet e prekura dhe po pastrojnë pikat kritike, ndërsa ndërmarrja publike për ujësjellës dhe kanalizim në Shkup po punon në stabilizimin dhe pastrimin e rrjetit të kanalizimit për të shmangur përmbytje shtesë. Paralelisht, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim po vlerëson dëmet dhe ofron mbështetje teknike dhe logjistike në bashkëpunim me strukturat lokale.
Në terren ndodhen edhe drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Muhamed Ali, kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamed Hoxha, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, të cilët po ndjekin nga afër situatën dhe po koordinojnë reagimin institucional.
Kryetari i Sarajit bëri të ditur se ekipet komunale janë në terren që nga orët e hershme të mëngjesit, duke punuar në zhbllokimin e rrugëve, pastrimin e kanaleve dhe ofrimin e ndihmës aty ku është e nevojshme. Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin zonat e rrezikuara dhe në rast nevoje të kontaktojnë shërbimet përkatëse emergjente.
Autoritetet theksojnë se ndërhyrjet do të vazhdojnë deri në stabilizimin e plotë të situatës dhe minimizimin e dëmeve materiale, me prioritet mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të banorëve.
