Prej muajit qershor, qytetarët do të kenë në dispozicion një parkim të ri në hapësirat e Qendrës Klinike “Nënë Tereza” në Shkup, i cili do të përfshijë tre garazhe shumëkatëshe montuese dhe infrastrukturë horizontale që do të lidhë të gjitha klinikat brenda kompleksit. Hapësira ku gjatë pandemisë ishte vendosur spitali modular tashmë është liruar dhe aty do të ndërtohet një nga garazhet, ndërsa dy të tjerat parashihen pranë Klinikës së Gjinekologjisë dhe Klinikës Infektive, kjo e fundit me kapacitetin më të madh.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, projekti pritet të sigurojë mes 1.200 dhe 1.500 vende parkimi. Menaxhimin do ta marrë ndërmarrja “Parkingjet e Qytetit”, me të cilën do të nënshkruhet kontratë 15-vjeçare, ndërsa Qyteti i Shkupit do të jetë përgjegjës për projektimin dhe ndërtimin e garazheve si dhe për rregullimin infrastrukturor të hapësirës. Çmimi i parkimit do të vendoset nga Këshilli i Qytetit dhe do të ofrohen katër mënyra pagese.
Autoritetet njoftojnë se do të ketë tarifa të diferencuara: pacientët onkologjikë do të vazhdojnë të kenë parkim falas, ndërsa pacientët e tjerë që trajtohen në klinika do të paguajnë çmime të përballueshme dhe jo komerciale. Një tarifë e veçantë do të vlejë edhe për të punësuarit në Qendrën Klinike, ndërsa çmimi komercial do të aplikohet për vizitorët apo qytetarët që parkojnë për arsye të tjera.
Projekti parasheh vendosjen e një sistemi inteligjent, që do të mundësojë rezervimin e vendit të parkimit përmes aplikacionit nga shtëpia. Pacientët do të mund të skanojnë kodin e rezervimit ose udhëzimin mjekësor në hyrje. Sistemi do të përfshijë sensorë për detektimin e vendeve të lira, kamera për regjistrimin automatik të targave, pagesa në kohë reale dhe lidhje me sistemin fiskal dhe atë të e-qeverisjes.
Në orët me ngarkesë më të madhe, mes 10:00 dhe 15:00, autoritetet sigurojnë se do të ketë kapacitete të mjaftueshme për të gjithë. Pas orës 16:00, çmimet mund të jenë më të ulëta. Për automjetet e Ndihmës së Shpejtë do të krijohet një korsi e veçantë, si dhe do të hapet hyrje e re për rastet urgjente në Klinikën e Kardiologjisë dhe Kardio-Kirurgjisë.
Përveç aspektit funksional, është paraparë edhe rregullim urban dhe hortikulturor i zonës, me gjelbërim, shtigje për këmbësorë dhe ndriçim LED, duke synuar një ambient më të organizuar dhe më të sigurt për pacientët dhe vizitorët.
