Kompania amerikane Cisco prezantoi një çip dhe ruter të ri të destinuar për përshpejtimin e rrjedhës së të dhënave në qendra të mëdha të të dhënave, duke synuar të konkurojë drejtpërdrejt me zgjidhjet e Broadcom dhe Nvidia në tregun në rritje të infrastrukturës për inteligjencë artificiale, vlera e së cilës vlerësohet rreth 600 miliardë dollarë.
Sipas Cisco-s, çipi i ri i quajtur Silicon One G300, i cili pritet të dalë në treg në gjysmën e dytë të këtij viti, do të mundësojë komunikim shumë më efikas mes çipave që përdoren për trajnimin dhe funksionimin e sistemeve të inteligjencës artificiale, përmes qindra mijëra lidhjeve të njëkohshme.
Çipi do të prodhohet me teknologjinë 3-nanometërshe të kompanisë Taiwan Semiconductor Manufacturing dhe do të përfshijë disa mekanizma të rinj sigurie, të quajtur “amortizues tronditjesh”, të cilët synojnë të parandalojnë bllokimin e rrjeteve kur ato përballen me rritje të papritura të trafikut të të dhënave.
Sipas Martin Lund, nënkryetar ekzekutiv i grupit të pajisjeve harduerike të Cisco-s, ky çip mund të përshpejtojë deri në 28 për qind përfundimin e disa detyrave të përpunimit të inteligjencës artificiale, falë aftësisë për të devijuar automatikisht të dhënat rreth problemeve në rrjet brenda mikrosekondave.
Ai theksoi se në sisteme me dhjetëra apo qindra mijëra lidhje, këto situata ndodhin shpesh, prandaj fokusi i kompanisë është efikasiteti i përgjithshëm i rrjetit nga fillimi deri në fund.
Rrjetet janë shndërruar në një fushë kyçe konkurrence në zhvillimin e inteligjencës artificiale. Edhe Nvidia, në prezantimin e sistemeve të saj më të reja muajin e kaluar, përfshiu një çip rrjeti që konkurron drejtpërdrejt me zgjidhjet e Cisco-s, ndërsa Broadcom po synon të njëjtin treg me serinë e saj të çipave Tomahawk.
