Sistemi “Safe City” ka regjistruar gjithsej 4.991 shkelje të rregullave të trafikut në periudhën nga 2 deri më 8 shkurt 2026, në zonat e qyteteve dhe përgjatë korridoreve ku janë të instaluara kamerat e sigurisë.
Nga numri i përgjithshëm i shkeljeve të konstatuara, 641 masa janë shqiptuar ndaj drejtuesve të automjeteve me targa të huaja. Shkelja më e shpeshtë mbetet tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, me 4.674 raste të regjistruara.
Përveç vozitjes me shpejtësi mbi normat e lejuara, janë evidentuar edhe 163 raste të kalimit në semafor me dritë të kuqe, si dhe 154 shkelje për drejtim të automjetit me leje qarkullimi të skaduar.
Gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar gjithsej 288 masa ndalimi për drejtim automjeti. Prej tyre, 163 masa lidhen me kalimin në dritë të kuqe, ndërsa 125 me tejkalimin e shpejtësisë.
Autoritetet informojnë se, brenda kufijve të tolerancës së paraparë për shpejtësinë e lëvizjes, janë toleruar gjithsej 22.434 automjete.
