Duke filluar prej sot (16 dhjetor) deri me 20 dhjetor Europe House dhe Fakulteti i Arteve – USHT në Tetovë, organizojnë projektin kulturor “Një Udhëtim arti”, ku për pesë natë radhazi do të shfaqen filmat artistikë të krijuar nga regjisorë shqiptarë të Maqedonisë së veriut.
Gjatë javës do të shfaqen këto filma:
- Filmi ”Kthimi” nga Kastriot Abdyli,
- Filmi “Babai” nga Shqipe Duka,
- Filmi ”Pranverë e paharruar në një fshat të harruar” nga Kushtrim Bekteshi,
- Filmi “I Treturi” nga Arben Thaçi,
- Filmi “I Fshehuri” nga Arsim Fazlia.
Me datë 20 dhjetor në hapësirat e Europe House do të organizohet ekspozita me fotografi të përzgjedhura nga profesionistë e amatorë që pasqyrojnë momente unike të kapura nga telefonat celularë. Ekspozita do të hapet në orën 13:00 dhe do të qëndrojë e hapur deri në shfaqjen e filmit “I Fshehuri” në orën 19:00.
Një projekt me tri dimensione
“Një Udhëtim Artistik” ka në thelb tri nënprojekte, secili me synimin për të nxitur dhe promovuar aspekte të ndryshme të artit shqiptar në Maqedoninë e Veriut:
- Shfaqja e filmave artistikë: Një retrospektivë filmash të metrazhit të gjatë nga regjisorë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët janë mbështetur nga Agjencioni i Filmit.
- Ekspozita e fotografive nga celulari: Një galeri unike që vlerëson fuqinë e teknologjisë moderne në artin e fotografisë, duke sjellë së bashku punime nga amatorë dhe profesionistë.
- Katalogu i aktorëve shqiptarë: Një burim i çmuar për industrinë e artit skenik dhe kinematografik, që dokumenton aktorët shqiptarë duke i vendosur ata në qendër të vëmendjes së regjisorëve dhe producentëve
Ky projekt organizohet nga produksioni Arbfilm dhe mbështetet nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë së Veriut, synon të bashkojë artistët dhe publikun në një festë të artit dhe kulturës.
